N. Vokopola: Kur të sëmurët …

Shërbimi paliativ në Shqipëri është një lloj kujdesi mjekësor specifik, i cili u ofrohet të sëmurëve falas nga ekipi i “Ryder Albania”. Por, deri në momentin që “halli” nuk i ka trokitur në derë, pakkush e di që në vendin tonë ekziston një formë e tillë e shërbimit, kryesisht për pacientët terminalë.

Të gjithëve na ka takuar qoftë edhe një herë të kalojmë dyerve të spitaleve. Një familjar i sëmurë rëndë, një i afërm që duhet të bëjë analizat mjekësore rutinë, diagnoza pak rëndësi ka… Ama, makthin e sorollatjeve të doktorëve, infermierëve, madje edhe të sanitares që të shikon nga xhepi përpara se të të shohë në sy, e kemi përjetuar sakaq. E nëse halli të troket në derë, duhet të shqetësohesh jo vetëm për njeriun e sëmurë, por edhe për faktin se ku duhet ta fusësh kokën për të nxjerrë nga “dheu” paratë që nevojiten për të “mëkuar” bluzat e bardha pas çdo shërbimi mjekësor. Deri këtu, situata është e njohur dhe e parë me sytë e realitetit. Por, pakkush e di se në Shqipëri ekziston edhe një tjetër lloj shërbimi mjekësor specifik, që u ofrohet

Nermin Vokopola me stafin e “Ryder Albania” në Tiranë
pacientëve falas. Kujdesi paliativ është asistencë mjekësore që u vjen në ndihmë kryesisht të sëmurëve terminalë, në momentin që spitali “dorëzohet” dhe familjarëve u kërkohet që i sëmuri të merret në shtëpi. Edhe pse diagnoza është përcaktuar, jeta e të sëmurit nuk dihet sa zgjat, mund të jenë disa muaj, por edhe vite të tëra, e gjatë kësaj kohe duhet ndihma mjekësore, teksa i sëmuri dergjet në shtrat. Nermin Vokopola është në profesion infermiere, por prej 20 vitesh, krahas angazhimit në Spitalin Onkologjik në kryeqytet, ajo është edhe pjesë e “Sue Ryder Care” për Shqipërinë. Edhe pse e ka kaluar moshën e pensionit, 64-vjeçarja vazhdon ende të shkojë derë më derë, aty ku e thërrasin dhe ku prania e saj është domosdoshmëri. Thotë se të ndihet e dobishme është si një lloj vokacioni i brendshëm… Pacientët e saj nuk janë vetëm të sëmurët terminalë me kancer, por edhe të moshuarit që kanë thyer gjymtyrë të trupit e nuk lëvizin dot, të tjerë pacientë që kanë nevojë për oksigjen, sepse nuk marrin dot frymë, ata që ushqehen me sondë nga hundët, të tjerë që kanë pas shpine plagët e shtratit etj. Ajo u gjendet pranë, e bashkë me kurën e nevojshme, Nermini duhet të “shërojë” edhe dramën familjare që pllakos në kësi situatash. Dhe këtë e bën mbi të gjitha me zemër, kundrejt thjesht një mirënjohjeje… Kujdesi paliativ është i shtrirë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Shkodër e Korçë, ndërsa pritshmëritë ekzistojnë që harta gjeografike e këtij lloj shërbimi të zgjerohet edhe më.
Një falënderim, në vend të parave
Faqja e murit të kuzhinës është e mbushur me piktura. Ndërsa në raftet e bibliotekës ka po aq libra të rreshtuar, sa edhe suvenire. Ato nuk janë blerje me bazë preferencash personale. Secila prej tyre lidhet me një kujtim të veçantë. Një pacient që sot ka ndërruar jetë, një prind që ka humbur fëmijën e ia ka dërguar pikturën në shenjë mirënjohjeje për ditët e shërbimit në shtëpi, një familjar që ka humbur mikun e ngushtë… Të gjitha janë dëshmi të vlerësimit kundrejt infermieres Nermin Vokopola. Në të kundërt, nëse pacientët do i kishin “mbushur” xhepin me para, detyra do të quhej e shlyer, dhe nuk do ishte nevoja që ata t’i dërgonin letra falënderimi e suvenire zbukuruese. Nermini është një nga infermieret nismëtare të shërbim paliativ në vendin tonë, që u vjen në ndihmë pacientëve terminalë, në ditët më të vështira, ato akutet, ku sëmundja egërsohet së tepërmi. Dhe kur e gjithë kjo asistencë mjekësore ofrohet falas, është si një dhuratë që të vjen në derë. “Ka qenë zgjedhja ime që prej gati 20 vitesh unë t’u ofroj të sëmurëve kujdes mjekësor falas. Më shumë se dy herë në javë u shkoj në shtëpi, u mjekoj plagët, u ndërroj kateterin, sondën e ushqimit që vendoset në hundë, u ndërroj fashat e plagëve qoftë pas operacioneve, por edhe plagët e shtratit që krijohen nga qëndrimi shtrirë… Është një mision tepër i vështirë, kur sheh njerëz të sëmurë, të rinj, të moshuar, individë krejtësisht të pamundur për të kryer nevojat vetjake. Ata më shohin në sy, dhe presin shërim nga duart e mia”, thotë Vokopola. Në të tilla raste, familjarët janë të gatshëm të paguajnë cilëndo faturë që u caktohet, sepse jo gjithmonë kanë kohën fizike t’u qëndrojnë te koka të sëmurëve, qoftë ai edhe person i familjes. Por, Nermini kënaqet kur ata i dërgojnë letra falënderimi dhe mirënjohjeje, e në raste të tjera, një dhuratë simbolike si pikturë, suvenire, ose libra që duket se ia zbukurojnë edhe më shumë hapësirën e shtëpisë.
Të zbutësh dramat familjare
Përveç infermieres, ajo duhet të bëjë edhe psikologen, sepse një i sëmurë që dergjet shtrirë ia tjetërson ritmin e jetës thuajse gjithë familjarëve të tjerë. Janë po ata pacientë që ia besojnë Nerminit intimitetet e tyre, jo vetëm trupin, por edhe situata familjare që shpesh dalin jashtë kontrollit për shkak të sëmundjes. “Unë nuk trajtoj vetëm të sëmurin, por edhe familjen e tij. Duhet të merrem me prindin që po i vdes fëmija, me motrën që po i vdes i vëllai… Është një traumë familjare, ku të gjithë çoroditen, e nuk dinë ç’të bëjnë. Ata kanë nevojë për një mbështetje psikologjike, dhe ndërkohë që bëj detyrën time duke u mjekuar plagët, duke bërë injeksionet e nevojshme, njëkohësisht flas me të sëmurin për problemet e ndryshme. Veçmas bisedoj edhe me familjarët, të cilët më ankohen se i sëmuri është egërsuar tepër, apo nuk ka kontrolluar dot një veprim të caktuar. Është e gjitha një situatë komplekse, që ka nevojë për menaxhim, sidomos kur dihet që i sëmuri do të vdesë së shpejti”, thekson ajo. Përgjatë viteve të punës si infermiere, në pavijonin e Onkologjisë, aty ku vdekja ulet këmbëkryq, por edhe në 20 vitet e shërbimit paliativ falas, ajo është përballur me drama familjare nga më të ndryshmet. Të gjitha këto ngjarje të trishta e kanë bërë më të ndjeshme, sepse ajo është mësuar me dhimbjen…
(e.m/panorama/BalkanWeb)

Comments are closed.

Scroll To Top
Descargar musica